e diel, 20 mars 2011

Thaçi mbështet sulmet kundër Gadafit

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka deklaruar se mbështet intervenimin ushtarak të forcave ajrore të disa nga shtetet e NATO-s mbi caqet ushtarake të diktatorit Muammar Gaddafi në Libi, dhe këto sulme i konsideron si akte në dobi të paqes dhe sigurisë në rajonin e Mesdheut e më gjerë.

“Intervenimi mbi pozicionet e diktatorit Gaddafi është akt human në mbrojtje të popullatës civile libiane, e cila kërkon largimin e diktatorit, liri, demokraci dhe prosperitet për popullin e Libisë”, citohet në komunikatë të ketë thënë Thaçi, duke shtuar se Kosova e ka të provuar rëndësinë e intervenimeve të natyrës së tillë në vitin 1999, “kur Aleanca Veriatlantike me sukses udhëhoqi fushatën e bombardimeve kundër caqeve serbe, duke u përmbyllur me sukses çlirimi i Kosovës, por edhe rënia e diktatorit serb, Milosheviq”.


Qeveria e Kosovës solidarizohet me shtetet që mbështesin intervenimin ajror në Libi, përgëzon Këshillin e Sigurimit për dhënien e së drejtës për intervenim dhe konsideron se “ky veprim është i drejtë, legjitim dhe i domosdoshëm”. “Qeveria e Kosovës mbështet përpjekjet e popullit libian që të fitojë lirinë dhe të demokratizohet, duke u bërë vend i rëndësishëm i botës arabe dhe shembull i vlerave të demokracisë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga departamenti për informim pran Kryeministrisë./qendra
shko