e martë, 5 prill 2011

Drejt zgjedhjeve të parakohshme

PDK dhe partnerët ndërkombëtarë po shqyrtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve brenda tre muajsh. Të hënën dështuan përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin e ri.
Paraprakisht, Behgjet Pacolli pranoi të tërhiqet nga kandidatura dhe Isa Mustafës iu bë ofertë që ai ta japë emrin për President konsensual. 


Mirëpo, kreu i LDK-së e refuzoi këtë. Ai insiston në mbajtjen e zgjedhjeve në verën e vitit të ardhshëm
Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, shtatë javë pas përfundimit të një cikli të gjatë zgjedhor, të nisur më 12 dhjetor të vitit të kaluar.

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Rastin Pacolli, duket të kenë dështuar të hënën.

E përditshmja “Express” citon një diplomat perëndimor t’i ketë thënë se autoritetet vendase dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë aktualisht nuk shohin zgjedhje tjetër të situatës, përveç shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

“Në takimin që ka pasur Hashim Thaçi me Behgjet Pacollin të dielën në darkë, ky i fundit ka pranuar të tërheqë kandidaturën për postin e presidentit. Ish-kryetari i AKR-së është pajtuar që kryeministri të nisë përpjekjet për gjetjen e një emri konsensual për postin e shefit të shtetit, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e parakohshme”, citon kjo gazetë burimin ndërkombëtar.
Të hënën, kryeministri Thaçi për këtë shkak është takuar sërish me Behgjet Pacollin, ashtu sikurse që të dy janë takuar edhe me përfaqësues të shteteve të fuqishme të akredituar në Prishtinë.

“Qëllimi i Hashim Thaçit ka qenë që, pas gatishmërisë së Pacollit për t’u tërhequr nga kandidatura dhe kërkesave të vazhdueshme të opozitës për President konsensual, t’i bëhet ftesë LDK’së - si partia më e madhe opozitare - që të propozojë emra për President konsensual. Kështu do të krijohej një traditë që Presidenti të zgjidhet me konsensus. Derisa për AKR planifikonte të ndante deri në shtatë ministri”, ka treguar diplomati perëndimor.

Ky propozim edhe i është bërë të hënën Isa Mustafës përmes një ambasadori të akredituar në Prishtinë.

“Mustafa është shprehur se presidenti konsensual është vetëm një nga kushtet. Kushti kryesor, sipas tij, është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në verën e vitit të ardhshëm”.

Por, ky propozim nuk është pranuar nga kryeministri Thaçi.

Një zyrtar i afërt me kryeministrin ka thënë se në kabinetin Thaçi aktualisht qarkullon ideja që sërish të bëhen përpjekje për zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e presidentit. Sipas tij, nëse në këtë seancë nuk do të ketë kuorum si pasojë e bojkotit të opozitës, atëherë opsioni i vetëm mbeten zgjedhjet e parakohshme.

Ligjërisht, nëse brenda 60 ditësh nuk arrihet të zgjidhet presidenti i Republikës, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Por, aktualisht njohës të Kushtetutës janë të ndarë se nga cila datë numërohet afati prej 60 ditësh - nga seanca e 22 shkurtit, kur u zgjodh Pacolli president, por që u zhvlerësua me vendim të Gjykatës Kushtetuese, apo nga dita kur PDK dhe AKR do të provojnë sërish ta zgjedhin Pacollin president.


Neni 82, Pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë se “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet presidenti i Republikës së Kosovës”, atëherë shpërndahet Kuvendi.
Sipas Kushtetutës, dështimi për zgjedhjen e presidentit nënkupton që zgjedhjet parlamentare organizohen në afatin brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, synon që nëpërmjet bojkotit të arrijë marrëveshje me partitë në pozitë për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. 


Kreu i LDK- së ka shprehur gatishmërinë për takim me Thaçin, por, sipas tij, iniciativa i takon atij apo u.d. të presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Mustafa ka shtuar se nëse Thaçi dhe koalicioni mund të sigurojnë 2/3 pa LDK-në, le të urdhërojnë e le të zgjidhet presidenti. Sa i përket akuzave të Thaçit se deputetët opozitarë shkelën Kushtetutën me bojkotimin e seancës, Mustafa ka thënë se këtë version e shohin vetëm syzat e Thaçit. Mustafa ka thënë se LDK-ja nuk do të heshtë kurrë kur të shkelet Kushtetuta, kur të blihet vota me rritje pagash dhe se nuk do të lejojë që një parti të sundojë vendin.


Ai është shprehur i gatshëm për zgjedhje qysh tashti dhe ka thënë se këtë sinjal ua ka dërguar edhe degëve të LDK-së. 
Partia e themeluar nga Behgjet Pacolli, AKR, vazhdon të shpresojë për daljen nga kriza edhe me emrin e Behgjet Pacollit për president.


AKR është zbutur të hënën në qëndrime, kur bëhet fjalë për koalicion me PDK-në.
Partia e cila dy ditë më parë kërcënoi me dalje nga koalicioni, tani “lufton” ta ruajë atë dhe të përpiqet të gjejë zgjidhje me opozitën për të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit.


Kryesia e AKR-së ka rikonfirmuar mbështetjen për Behgjet Pacollin si kandidat për president të Kosovës, ndërkohë Makolli nuk ka dashur të flasë në mënyrë hipotetike, nëse PDK-ja mund të mos e mbështesë Pacollin në votimin për president./kn
shko