e hënë, 4 prill 2011

Qeveria policore e Thaçit

Qeveria e Hashim Thaçit ka dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për ta sqaruar çështjen nëse prania e të gjithë deputetëve në sallë gjatë votimit të presidentit është obligim kushtetues.
Këtë punë e ka nxitur vetë Gjykata, e cila në vendimin e vet të fundit lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së Behgjet Pacollit ka shpjeguar se kjo zgjedhje ishte antikushtetuese, duke shtuar po ashtu se i paligjshëm ka qenë edhe bojkotimi i seancës nga deputetët e opozitës.

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës dolën sponsorizuesit e koalicionit, Christopher Dell e Pieter Feith, jo aq për t’i dhënë të drejtë vendimit për shkeljen e procedurave, sa për t’u mbajtur leksione etike deputetëve që e lëshuan atë ditë procedurën e votimit të Pacollit që përshkallëzoi në maskaradë. Qëndrimi i tyre është i kuptueshëm: dikujt Thaçi e Pacolli si çift i duhet për shitjen e pasurive tona kombëtare për t’i shtruar asfalt, e dikujt për negociata me Serbinë. Ne nuk do të merremi këtu me këta njerëz, por me atë që është serioze në këtë mes – vendimi joprofesional dhe antikushtetues i Gjykatës Kushtetuese.


Fillimisht duhet të thuhet se ajo pjesë ku Gjykata flet për bojkotimin e seancës është pika ku ligjshmëria braktiset për hir të politikës. Meqë u ndëshkua koalicioni, politika e kërkonte që të baraspeshohet faji dhe të shpërndahet përgjegjësia. Gjykata u mor me politikë.
Vendimi i Gjykatës që thotë se pjesëmarrja e deputetit në seancën e zgjedhjes së presidentit është obliguese, është antikushtetues. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 70.1 të saj thotë: “Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”. Pika 80 e vendimit të Gjykatës konkludon se deputetët kanë “obligim që të marrin pjesë plotësisht në procedurat e Kuvendit”. Ky interpretim është antikushtetues dhe në kundërshtim edhe me nenin 70.5 të Kushtetutës, i cili specifikon se deputeti ka të drejtë që për 6 muaj të mos marrë pjesë në seancë dhe atij nuk i humb mandati i deputetit. Po të kishte qenë pjesëmarrja në seancë absolutisht obliguese, nuk do të kishte ekzistuar ky nen. Po ashtu Gjykata ka bërë një shpjegim që bie ndesh me Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit (03/L-111), ku sqarohet se “Deputeti është përfaqësues i qytetarëve dhe gjatë mandatit të tij i nënshtrohet vetëm ndërgjegjes së tij” (3.1).


Gjykata, në fakt, është dashur që të kufizohet eventualisht në interpretimin e përgjegjësisë që e kanë deputetët në raport me mandatin. E kur jemi te përgjegjësia, Gjykata shumë mirë e ka vërejtur se përgjegjësia themelore e deputetit është ndaj zgjedhësve, elektoratit. Nga shumë takime intensive me elektoratin tonë, ata e kanë mbështetur plotësisht strategjinë politike e vepruese të VETËVENDOSJES për bojkotimin e Pacollit. Deri tash askush nga elektorati ynë nuk është ankuar për hapa të papërgjegjshëm të subjektit tonë. Përveç kësaj, bojkoti nuk është veprimtaria jonë institucionale mbizotëruese. Ne kemi aplikuar bojkotin në dy raste: së pari kur u zgjodh Pacolli dhe së dyti kur u kontrabandua PTK-ja brenda buxhetit në mënyrë antiligjore (kjo është në kundërshtim me ligjin për kompanitë publike). Në të dyja këto raste, përveç papajtueshmërisë politike, kanë ndodhur shkelje të pakontestueshme ligjore, prandaj vetë prania jonë e mëtutjeshme do t’i kishte shërbyer antikushtetutshmërisë. Ne me mospraninë tonë i kemi ndihmuar ligjshmërisë. Kur jemi te kjo çështje, për fund po themi se po ashtu bojkoti ynë kurdoherë që aplikohet nuk është një strategji iracionale, por politikisht kuptimplote. Ne e bojkotuam Pacollin vetëm pasi i shtruam e i shterëm mirë e mirë të gjitha arsyet politike të kontestimit të tij si president.


Nëpërmjet kërkesës së saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, Qeveria po përpiqet ta arbitrojë mandatin e lirë të përfaqësuesit të popullit. Kjo Qeveri po bëhet policore, duke e marrë vendin e ligjit si fuqi e pakufizuar mbi jetën e të gjitha institucioneve. Kështu u shit edhe PTK-ja, kurse të gjithë të pakënaqurve Qeveria nuk ua vuri përballë arsyet e shitjes as argumentet, por policinë. Qeveria jonë po ngrihet sikur një përbindësh antiqytetar jashtë legjitimitetit politik, meqë i vodhi votat, jashtë ligjeve, meqë e shiti PTK-në, dhe jashtë interesit shtetëror e kombëtar, meqë po e shet Kosovën në negociata me Serbinë./k.n/
shko