“Sherri” për SHIK-un, i plasur në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar të Inteligjencës (AKI) ndërmjet Bekim Haxhiut – Kamishit të PDK-së dhe Florin Krasniqit të Vetëvendosjes është zgjeruar edhe me një deputet.
Burim Ramadani, deputet i AAK-së dhe anëtar i këtij komisioni, nëpërmjet një deklarate për media, ka akuzuar SHIK-un se i përket një strukture kriminale. Ai ka thënë se Kosova ka nevojë të ketë qartësi për të gjitha të bëmat e kujtdo qoftë, dhe në këtë rast siç ka thënë ai, të një strukture të organizuar kriminale, që njihet me emrin SHIK.“Funksionimi i SHIK-ut është një prej temave më të rëndësishme për Kosovën e pas-luftës, për shkak bindjes për përfshirjen e kësaj organizate ilegale në kriminalitet politik dhe ekonomik”, thuhet në deklaratën e Ramadanit. Ndërkohë, deklaratës së Bekim Haxhiut - Kamishi se ndihet krenar që ka qenë në shërbim të SHIK-ut, Ramadani i ka dhënë një porosi. “SHIK-u ka qenë organizatë që i ka shërbyer një grupi të caktuar brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe jam i bindur se njerëzit e kësaj strukture nuk duhet të ndihen mirë që kanë qenë pjesë e saj”, thuhet më tej në deklaratë.
Për ta qartësuar siç ka thënë edhe këtë temë, Ramadani ka propozuar një zgjidhje. “Prandaj, konsideroj se ka ardhur koha kur Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të themelojë një Komision Hetues Parlamentar për hetimin e veprimtarisë së “SHIK”-ut që nga themelimi i kësaj organizate pas çlirimit të Kosovës”, ka thënë Ramadani. Sa i përket kërkesës së Kamishit për shkarkimin e kryetarit të Komisionit, Florin Krasniqi, Ramadani ka mohuar se një kërkesë e tillë ka kaluar në komision. “Komisioni përmes votimit nuk ka miratuar kërkesën e deputetit Haxhiu, pas një debati relativisht të ashpër që është zhvilluar. Dhe, më pas, kjo temë është ngritur në opinion publik krejtësisht për përfitime partiake të deputetit të PDK-së, Haxhiu”, ka thënë Ramadani./io/