e enjte, 21 prill 2011

Transferimi i Bajramajt nxit "luftë"

Në zgjedhjen e FIFA-s për futbollisten më të mirë në botë, Fatmire Bajramaj, zuri vendin e tretë pas brazilianes Marta dhe Birgit Prinzit që luan me skuadrën FFC Frankfurt.
Tash 23-vjeçarja Bajramaj do të trashëgojë njërën prej futbollisteve më të mira në histori dhe rekordmenen e Përfaqësueses së Gjermanisë, Birgit Prinz, që pritet të largohet nga futbolli pas përfundimit të Botërorit 2011 që mbahet në Gjermani këtë verë. Bajramaj e lindur në Kosovë ka firmosur në fillim të kësaj jave kontratë për tre vjet e gjysmë me skuadrën FFC Frankfurt. Kalimi i saj nga Turbine Potsdam në Frankfurt ka nxitur reagime të mëdha.

"Lira është një vajzë fenomenale. Por për fat të keq ajo drejtohet nga familja dhe agjenti i saj. Zoti Ness në katër transferet e fundit ka fituar 50 mijë euro", ka thënë trajneri i Turbines, Bernd Schroeder, duke e sulmuar agjentin e Bajramajt, Dietmar Ness. 


Transferimi i Bajramajt njëherit ka ringjallur "luftën" mes Schroederi
t dhe trajnerit të Frankfurtit, Siegfried Dietrich. 
"Ne kemi respekt për kundërshtarët tanë. Mirëpo në Bundesligë është një skuadër që nuk di çfarë është respekti. Nuk bën që prapa shpinës së një skuadre të merren futbollistet. Frankfurti na ka marrë në këtë mënyrë nëntë futbolliste. Por, në punën me grupmosha të reja nuk bën asgjë", ka shtuar Schroeder. 

Trajneri i Frankfurtit, Dietrich, i është kundërpërgjigjur Schroederit, duke treguar se metodat e Frankfurtit nuk janë të ndryshme nga ato që i aplikon Potsdami. 
"Ne me Bajramajn, Kim Kuligun, Dzsenifer Marozsanin, Svenja Huthin dhe Desiree Schumannin, kemi gati të gjitha supertalentet e futbollit gjerman në skuadër. Po ashtu kemi edhe disa talente të përfaqësueses U-23. Z. Schroeder jeton në botën e vet. Ka qenë e natyrshme se ai do të tregonte hapur inatin. Por ai duhet të kuptojë se edhe në futbollin e femrave ka struktura profesioniste. Edhe Bajramaj kur kaloi para dy viteve nga Duisburgu në Turbine, kaloi gjatë stinorit. Atëbotë ishte prezantuar edhe në faqen zyrtare të Turbines si transfere e re", ka thënë Dietrich. 


Vetë Famire Bajramaj ka qenë në dijeni se transferi i saj do të shkaktonte bujë. 
"Unë kam llogaritur që transferi im të përcillet me reagime. Mirëpo, shpresoj që shpejt të kthehet normaliteti", ka thënë ajo. 


Trajneri i Frankfurtit, Dietrich, i ka uruar futbollistes kosovare që me Turbinen të fitojë Ligën e Kampionëve të femrave. 
Turbine Potsdam në finale të "Championsit" do të ndeshet me skuadrën franceze Olympique Lyon më 26 maj në Londër dhe kjo do të jetë ndeshja e fundit e kosovares që njihet me nofkën Lira, me skuadrën Turbine Potsdam. 


"Unë i uroj Lirës dhe Potsdamit që edhe këtë vit të fitojnë Ligën e Kampionëve. Ky do të ishte sërish një sukses i madh për futbollin e femrave në Gjermani", ka thënë Dietricht. 
Ndërkohë, trajneri i Turbines, Schroeder ka thënë se Bajramaj, ka kontratë deri më 30 qershor me Potsdamin dhe duhet të jap maksimumin për klubin. 


"Ajo ka kontratë deri më 30 qershor, nuk bën të lëviz nga aty", ka thënë Schroeder. 
Bajramaj e ka marrë me humor këtë kërcnim. 


"Unë në finale të 'Championsit' sigurisht se do të lëvizi. Trajneri ynë nganjëherë është pak emocional", ka thënë ajo./kn
shko