Materialet shpërthyese që kanë shënjestruar Neil Lennonin, avokatin e tij Paul McBride dhe anëtarin e Parlamentit të Skocisë, Trish Godmanin, janë gjetur në lokacione të ndryshme në perëndim të Skocisë në javët e fundit.
Pakot që kanë përmbajtur material eksploziv kishin pasur synim që të lëndonin apo të vrisnin këta të tre, ndërsa dyshohet të jenë dërguar nga tifozët e rivalit të përbetuar, Glasgow Rangers.
Në fillim u mendua se bombat ishin false vetëm për të frikësuar të tre, mirëpo pas testeve është konstatuar se pakot kanë përmbajtur eksploziv të mjaftueshëm për të gjymtuar apo vrarë shënjestrat.
Ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond, ka thënë se këto zhvillime janë brengosëse dhe lidhen me dhunën në futboll mes dy skuadrave të Glasgowit.
"Kjo e dërgon çështjen në një nivel tjetër dhe për këtë arsye jemi duke e shqyrtuar situatën me seriozitetin më të madh. Jam i sigurt se çdokush në Skoci do të jetë plotësisht në mbështetje të policisë në tentim për të arrestuar këta të çmendur që janë përgjegjës për këtë", ka thënë Salmond për BBC-në.
Detektivi i policisë së Glasgowit, John Mitchell, ka thënë se dërgimi i bombave është një "akt frikacak".
"Ato bomba definitivisht kanë mundur të shkaktojnë dëme serioze apo të mbysin individët, po të hapnin pakot", ka thënë Mitchell.
Kjo dhunë është vazhdimësi e tensionit midis dy sekteve fetare që përfaqësojnë skuadrat Celtic e Rangers. Celticu përkrahet nga katolikët, derisa rivalët e Glasgowit nga protestantët. Ndeshjet mes dy skuadrave vazhdimisht përcjellen me dhunë. Ndeshja ndryshe njihet si derbi "Old Firm".
Dhuna në ndeshjet e këtij stinori është rritur dukshëm. Muajin e kaluar në një ndeshje të Kupës së Skocisë mes dy skuadrave janë arrestuar 200 persona jashtë stadiumit, ndërsa brenda në stadium pati një kacafytje mes trajnerit të Celticut, Lennon dhe ndihmëstrajnerit të Rangersave, Ally McCoist.
Lennoni që është një katolik nga Irlanda e Veriut, vazhdimisht gjatë karrierës ka qenë pre e sulmeve të sekteve, përfshirë këtu edhe një sulm fizik, për çka dy persona u arrestuan në vitin 2009. Lennonit i ishin dërguar edhe plumba në shtëpi me postë.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Skocisë, Stewar Regan, është tmerruar me atentatin e fundit.
"Futbolli i Skocisë duhet të jetë i sigurt. Nuk duhet të përdoret si platformë për jotolerancën apo urrejtjen fetare", ka thënë Regan.
Pakoja e adresuar për Lennonin ishte zbuluar në zyrat e postës më 26 mars në Kirkintilloch, vetëm disa kilometra në veri të Glasgowit.
Politikanit Godman i ishte dërguar pakoja më 28 mars në zyrën e tij në perëndim të Glasgowit, derisa pakoja për avokatin McBride, ishte zbuluar rrugës për në zyrën e tij në Edinburgh, më 15 prill./kn