e shtunë, 18 shtator 2010

8 ditë paraburgim për policët falsifikator

Gjykata themelore në qytetin jugor serb, Prokuplje,  ka caktuar masën e paraburgimit prej tetë ditësh për katër zyrtarë policorë nga Meroshina, për arsye të dyshimit të bazuar se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë falsifikuar dokumentet zyrtare.


Paraburgimi u është caktuar Dragan K. (44), Jovica J. (42), Sasha M. (40) dhe Radivoje R.(45), policë të Stacionit Policor në Meroshinë. Të gjithë këta akuzohen se në një periudhë më të gjatë kanë futur të dhëna të pasakta në dokumente zyrtare dhe në këtë mënyrë i kanë bërë të mundshme një numri të caktuar të shqiptarëve nga Kosova që të marrin dokumente udhëtimi të Serbisë.

Në fakt, sipas Gjykatës së Prokupljes, ata ngarkohen se nuk kanë bërë verifikimin e saktë të paraqitjes së vendbanimit nga ana e shqiptarëve të ardhur nga Kosova në territorin e Komunës së Meroshinës. Po ashtu, dyshohen se në dokumente zyrtare kanë futur si adresa banimi shtëpi krejtësisht të papërshtatshme për banim, në të cilat në fakt as që ka banuar dikush. Marrja në pyetje e tre zyrtarëve policorë ka zgjatur 6 orë, kurse i dyshuari i katërt Radivoje R. nuk është marrë në pyetje pasi gjendet në pushim vjetor.
shko