Mes tjerash u zbulua se një pjesë e mishit që e importon Kroacia, ka qenë e ngrirë që para 10 e më shumë viteve dhe se nëpër rafte të shitoreve gjendet edhe mish me etiketa të rrejshme dhe me afat të skaduar. Mirëpo, përgjegjësit në krye të qeverisë pohuan se gjithçka është në rregull. Pas kësaj, Kroacia po ballafaqohet tashti edhe me “aferën e perimeve dhe pemëve”.
Televizionit të Kroacisë i ka rënë në duar revista interne (Buzin Buzz) e ambasadës amerikane në Zagreb, në të cilën autori ka konstatuar pos tjerash se mbi 70 për qind e pemëve dhe të perimeve në Kroaci janë të klasës së dytë të cilësisë, që do të thotë pemë dhe perime që në BE do të përdorej për përpunim ose për hedhje në bërllok.
Autori i këij shkrimi shton me ironi se kjo ka së paku një përparësi: Kroacia ndihmon në ulje e sasive të bërllokut evropian.
Natyrisht, ambasada amerikane në Zagreb u paraqit me kumtesë për të thënë se shkrimi i botuar në revistën interne nuk paraqet qëndrimin e qeverisë amerikane dhe se a është vetëm rezultat i konstatimeve të një qytetari amerikan, i cili momentalisht jeton në Zagreb. Mirëpo, me konstatimet e tij pajtohen shumica në Kroaci.