e mërkurë, 1 dhjetor 2010

ZGJEDHJET: Filloj Fushata Elektorale

Prej sot 29 subjekte politike e iniciativa qytetare nisin të mërkurën zyrtarisht fushatën paraelektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.


Për dhjetë ditë me radhë, partitë politike do të shpalosin programet dhe idetë e tyre. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka ftuar ato për një fushatë të ndershme dhe korrekte.



“U bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që fushatën parazgjedhore ta bëjnë në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi, duke zhvilluar garë korrekte të programeve dhe ideve, pa nxitur dhe provokuar urrejtje e mosdurim. Një fushatë korrekte dhe demokratike do të na sigurojë votim të qetë e të rregullt dhe përfundim të suksesshëm të të gjithë këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor”.


Krasniqi ka bërë thirrje për respektim të plotë të Kodit të Sjelljes, i cili është miratuar ditë më parë nga vetë partitë politike.


Përveçse të jashtëzakonshme, zgjedhjet e 12 dhjetorit janë të parat zgjedhje parlamentare pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në to do të marrin pjesë 29 subjekte politike, nga të cilat shtatë i përkasin shumicës shqiptare, tetë janë nga radhët e komunitetit serb, katër janë subjekte boshnjake, dy turke dhe tetë subjekte nga pakicat e tjera.


Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ka kërkuar fushatë më të qetë nga ajo që është para në zgjedhjet e kaluara. Kjo njëherësh është kërkesë edhe e autoriteteve ndërkombëtare që veprojnë në vend.


“Mesazhet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, nga të gjithë ata që janë të kyçur në këtë proces zgjedhor, kanë qenë që kjo fushatë të jetë sa më e qetë, sa më demokratike dhe sa më fer. Të përdorët një gjuhë jo e ashpër, një gjuhë politike e jo një gjuhë që e kemi dëgjuar në zgjedhjet e mëparshme”.


Daka ka rikujtuar adresat në rast të ndonjë ankese për parregullsi. “KQZ-ja mund të pranojë ankesat eventuale, lidhur me fushatën zgjedhore. Një gjë e tillë mund të bëhet edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga vetë subjektet politike”.


KQZ-ja ka akredituar mbi 6 500 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjeve. Valdete Daka ka pohuar se akreditimi i mbikëqyrësve ndërkombëtarë do të vazhdojë deri më 6 dhjetor.


Ndër premtimet kryesore të subjekteve politike sivjet është integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Udhëheqësit e partive zotohen edhe për zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e papunësisë. /Evropa e Lirë
shko