e mërkurë, 1 dhjetor 2010

ZGJEDHJET: PDK premton BE-në

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka besim se në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme, të parat pas pavarësisë, do të arrihen standardet evropiane për zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike. Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike në pushtet, ka thënë se në katër vitet e ardhshme Kosova do të marrë regjim pa viza nga BE-ja për qytetarët e saj, do të jetë anëtare e NATO-s, dhe do të afrohet më shumë me BE-në.

Kryeministri kosovar ka premtuar se kutitë e votimit për zgjedhjet e përgjithshme do të hapen në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. Ai është optimist për një pjesëmarrje të madhe të serbëve në këto zgjedhje.


“Këto janë zgjedhje të parakohshme. Për herë të parë në Kosovën e pavarur organizohen zgjedhjet nacionale. Kam besim se do të arrijmë standardin evropian të organizimit të zgjedhjeve të lira të ndershme dhe demokratike, me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve me kuti të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Pra, këto janë zgjedhje për të ardhmen evropiane të Republikës të Kosovës dhe mirëqenies sociale të saj”, ka thënë Thaçi në një intervistë për BBC-në.


“Këto zgjedhje janë provokuar që të jenë të parakohshme nga ish-partneri i koalicionit, nga LDK-ja dhe opozita kosovare, kështu që unë marr përgjegjësinë në këtë situatë të provokuar nga opozita kosovare dhe ish-partneri i koalicionit. Në këtë drejtim secili lider dhe parti politike kanë përgjegjësi që të japin kontributin për arritjen e standardit, apo avancimin e standardit të organizimit të mirë të zgjedhjeve të lira... Institucionet e vendit janë në krye të përgjegjësive. Ne kemi ftuar shumë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të jenë prezent. Jam optimist dhe kam besim të plotë për sukses të Kosovës në këto zgjedhje”.


I pyetur se si do t’i sigurojë paratë që ka premtuar për rritjen solide dhe konstante të pagave të gjithë sektorëve, duke filluar nga mësimdhënësit universitarë, për arsimtarët e shkollave të mesme dhe fillore, për statusin e shërbyesit civil, për minatorët e Trepçës, rritjen e pensioneve për veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe rritjen e beneficioneve për të gjithë veteranët e luftës, ndërkohë që Buxheti i Kosovës ende nuk është miratuar në parlamentin e Kosovës, Thaçi ka thënë se gjithçka është duke u planifikuar prej ekspertëve lokalë dhe ndërkombëtarë që ka angazhuar në ekipin e tij.


“Pra, do të kemi një ruajtje të partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare dhe kemi vendime autonome si shtet i pavarur dhe sovran dhe çdo premtim të cilin e prezantoj është i studiuar në detaje dhe gjithë njerëzit do t'i marrin, do t'i gëzojnë ato premtime në realitet”, ka thënë kryeministri në largim, i bindur se në zgjedhjet e 12 dhjetorit, pret fitore të thellë të Partisë Demokratike të Kosovës me vizionin për Kosovën evropiane. 
shko