e hënë, 14 mars 2011

“Express” “zbulon” komplotin kundër pushtetit

Klubi për Politikë të Jashtme ka provuar të organizojë demonstrata kundër institucioneve të Kosovës. Zyrtarë të KPJ-së nuk e mohojnë se një nga qëllimet ka qenë edhe rrëzimi i pushtetit. Ata hartuan edhe Planin e Veprimit. Kishte koordinim edhe me opozitën. 

Por, Plani u refuzua nga shumica e OJQ-ve. Hashim Thaçi tha se pushteti nuk mund të merret me dhunë, e as të uzurpohet, pohon e përditshmja e Prishtinës, “Express”, shkrim të cilin po e transmetojmë në tërësi, për analogji me kohët e konspiracioneve të sistemit totalitar. 

Sipas kësaj gazeta, Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ) i Veton Surroit përveç si kritikues i ashpër ndaj pushtetit në Kosovë, javëve të fundit ka hartuar plane konkrete për demonstrata që, si qëllim final, do të kishin edhe rrëzimin e koalicionit qeverisës.

Pas një diskutimi joformal mes pjesëtarëve të KPJ-së dhe disa OJQ-ve, më 3 mars është mbajtur një takim i përfaqësuesve të disa OJQ-ve. Takimi është ftuar nga Hajrulla Çeku, hulumtues në Klubin për Politikë të Jashtme dhe është mbajtur në zyrat e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF) në Prishtinë.

Menjëherë pas takimit, Çeku nëpërmjet një e-maili u dërgon dhjetëra OJQ-ve një Plan të Veprimit, në të cilin janë propozuar hollësisht hapat që duhet ndërmarrë shoqëria civile “për shprehjen e organizuar të pakënaqësisë dhe mospajtimit qytetar me zhvillimet e fundit politike, të cilat e shkelin vullnetin qytetar dhe kushtetutën e vendit”.

Në bazë të një komunikimi me e-mail dhe dokumentit të quajtur Plani i Veprimit, të cilat i ka siguruar gazeta Express, mund të kuptohet se plani është hartuar në Klubin për Politikë të Jashtme dhe u është servuar si i gatshëm OJQ-ve dhe individëve tjerë.
Me plan ishin paraparë hollësisht aktivitetet që është dashur të fillojnë më 7 mars. Gjithçka do të përfundonte më 20 mars, me protestën e madhe para Qeverisë.

“Gjatë fushatës, organizatat e involvuara do të ndërmarrin veprimet e mëposhtme, por nuk do të kufizohen vetëm me to: protesta ditore, shkrime në gazeta, deklarata të përbashkëta publike, konferenca për media, dekonstruktim i ngjarjeve, takime mobilizuese me OJQ-të nëpër komuna të tjera, takime mobilizuese me sindikatat e punës, takime mobilizuese me studentët, performansa artistike, debate televizive, grupi në Facebook, posterët dhe fllajerët, protesta e madhe”, thuhet në preambulën e Planit të Veprimit që mban titullin “Fushatë e shoqërisë civile për integritet të institucioneve shtetërore”.

Mediumi i parë që e ka botuar këtë plan është portali qendra.info, të shtunën.
Por, shumica e OJQ-ve nuk iu përgjigjen ftesës së KPJ-së, ndërkaq ato pak OJQ që morën pjesë nuk u bindën që të bëhen pjesë e Planit të Klubit që, pa u konsultuar me ta, ua kishte përcaktuar rolet dhe detyrat, hollësisht.

Për këtë nismë kundër institucioneve të Kosovës ka pasur konsultime dhe koordinim edhe me parti opozitare. Kjo mund të kuptohet qartë nga e-maili i Ramadan Ilazit, i Lëvizjes FOL. Ilazi fillimisht refuzon pjesëmarrjen e OJQ-së së tij në demonstrata, por ai tregon se kur është debatuar për nismën për demonstrata, është përmendur edhe një bashkërendim dhe koordinim me parti politike.

“Ne mendojmë se aktivitetet e shoqërisë civile, sidomos kur organizohen në koalicion, nuk duhet të bashkërendohen dhe koordinohen me partitë politike, sepse kjo rrezikon të dëmtojë kredibilitetin e çfarëdo nisme që mund pastaj të quhet e shoqërisë civile”, shkruan Ramadan Ilazi në e-mailin e tij, më 7 mars.

Nga iniciativa e KPJ-së tërhiqet edhe organizata joqeveritare “Syri i Vizionit”.
Mungesa e përkrahjes nga shoqëria civile detyron Klubin për Politikë të Jashtme që të pranojë dështimin e nismës për demonstrata dhe fushatë kundër institucioneve.
Kjo konfirmohet në e-mailin e hulumtuesit të KPJ-së, Hajrulla Çeku, i shkruar më 7 mars, ditën kur ishte planifikuar të nisë zbatimi i planit.

“Pas takimit të sotëm ku morën pjesë një numër i vogël i organizatave, si dhe pas deklarimeve të disa organizatave të tjera përmes e-mailit, mendojmë se duhet te tërhiqet propozimi për veprimin e shoqërisë civile në bazë të planit të veprimit që u qarkullua ditëve të fundit brenda këtij grupi të organizatave. Arsyeja kryesore është mungesa e energjisë së domosdoshme brenda këtij grupi të organizatave për të reaguar dhe vepruar ndaj dëmtimit të integritetit të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe jo vetëm”.

Çeku shpreh mospajtim për vendimin refuzues të kolegëve të tij nga shoqëria civile.
“Ne në KPJ mendojmë që detyra primare e shoqërisë civile është mbrojtja e parimësisë dhe interesit publik, e sidomos në rastet kur ka shkelje brutale të parimeve të demokracisë (e këtë parim OJQ-të e kanë të kodifikuar në misionet e tyre). Për më tepër, besojmë që veprimtaria e OJQ-ve nuk duhet të orientohet kah sigurimi i balanceve politike, ngase ky balancim do të nënkuptojë anësi politike dhe jo e kundërta”, shkruan ai.

E-maili i pjesëtarit të KPJ-së përfundon në mënyrë ironike.

“Ju urojmë të gjithë të mirat në shijimin e privilegjeve, rehatisë dhe të mirave të tjera që mund të ju sjellë veprimtaria në kuadër të shoqërisë civile”.

Qëllimi final

Hajrulla Çeku, hulumtues në Klubin për Politikë të Jashtme, ka konfirmuar të dielën për Express se ai është ndër iniciatorët dhe autorët kryesorë në KPJ, që hartoi Planin e Veprimit.

“Dokumenti në fjalë është një draft, i cili është në përpunim. Nuk ka qenë kurrfarë dokumenti i finalizuar rreth të cilit janë marrë vesh organizatat. Ka qenë një draft të cilin e kam dërguar unë me e-mailin tim, në një numër të madh të organizatave. Aty, në atë dokument, ku përmenden emrat e disa individëve e organizatave, kanë qenë propozime që kanë dalë gjatë hartimit të planit nga disa organizata. Aty ka njerëz që nuk janë konsultuar ende, sepse nuk kemi mbërritur ende në atë fazën e implementimit të planit, sepse diskutimet vazhdojnë”, tha Çeku.

“Kjo nuk është iniciativë e një organizate, por dikush është dashur ta shkruaj atë plan të veprimit dhe atë e kemi shkruar ne, gjegjësisht unë dhe pastaj është plotësuar”, ka shtuar ai.

Çeku është hartuesi i planit, por thotë se ka përfshirë edhe idetë e të tjerëve, të cilët nuk i përmend me emër.

“Një prej atyre që janë të involvuar për me e shty vullnetshëm këtë punë përpara është Klubi për Politikë të Jashtme. Fakti që unë e kam dërguar e-mailin, nuk më klasifikon automatikisht si iniciator të idesë së të tjerëve, sepse aty ka ide të të tjerëve. Por në këtë nivel të planit të veprimit, atë e kam bërë unë”, ka thënë ai.

Zyrtari i KPJ’së thotë se plani nuk është diçka e pazakonshme, sepse “këto janë lëvizje normale që i bën shoqëria civile”.

I pyetur se a është qëllimi final i Planit edhe rrëzimi i institucioneve, Çeku u përgjigj: “Paj, nëse në një moment evidentohet që integriteti, ta zëmë, i institucionit të Presidentit është dëmtuar deri në atë nivel, që duhet me u rizgjedhë Presidenti, po, edhe ajo kish me qenë njëra prej kërkesave. Por edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe për këtë opsion jemi të hapur. Por, nuk kemi mbërritur në atë fazë të konkretizimeve, sepse plani ende nuk është miratuar. Ai është ende i hapur për diskutim”.

Pushteti nuk merret me dhunë

Kryeministri Hashim Thaçi tha të mos jetë në dijeni për planin e KPJ-së, por theksoi se askush nuk duhet të pretendojë të marrë pushtetin me dhunë, sepse këtë nuk do ta lejonte populli i Kosovës. Ai i bëri këto komente në Aeroportin ‘Adem Jashari’, të dielën, pak para nisjes për një vizitë në Turqi.

“Unë nuk jam në dijeni, por jam në favor të kultivimit të ideve, projekteve, alternativave dhe fuqizimit të institucioneve legjitime të Kosovës, prandaj qytetarët i kanë zgjedhur institucionet me vullnetin e tyre, edhe Qeverinë, edhe të gjitha institucionet. Natyrisht, edhe partitë opozitare. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet nga të gjithë, prandaj duhet të respektohet legjitimiteti dhe assesi të pretendojë ndokush përmes dhunës të uzurpojë apo të marrë pushtet. Diçka të tillë nuk pranon populli i Kosovës dhe as bota demokratike”, ka thënë Thaçi.

Ai deklaroi se demokracia i ka rregullat e veta të pjesëmarrjes në proces dhe besimit nga elektorati, nga qytetarët dhe jo të rrënimit apo pretendimit të dhunës ndaj institucioneve. “Diçka të tillë, qytetari i Kosovës nuk ka pranuar kurrë dhe nuk do ta pranojë as në të ardhmen, nuk do ta pranojë as bota demokratike, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as Bashkimi Evropian”.

Ai shtoi se nuk është mirë që shembuj të përcjellë në vendet përreth Kosovës, të barten në Prishtinë. “Dhe, diçka të tillë jam i bindur që qytetarët e Kosovës nuk do të lejojnë të ndodhë”, ka theksuar Thaçi./kn
shko