e premte, 25 mars 2011

Limaj: Dikush po tenton të më eliminojë politikisht

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, që është edhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ndaj të cilit është lëshuar fletarrestim nga EULEX-i, pa iu hequr fare imuniteti, Fatmir Limaj, ka treguar sesi i ka parë ai të gjitha ato që ndodhën brenda kësaj jave. 
Në një intervistë për emisionin “Rubikon” të KTV-së, të enjten, Fatmir Limaj ka treguar se si ka marrë vesh ai për arrestimet e ish-bashkëluftëtarëve të tij, për fletarrestimin ndaj tij, për mosreagimin e Qeverisë. 

Ish-komandanti i brigadës 121 – “Komandant Kumanova”, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak për arrestimet e ish-bashkëluftëtarëve të tij, e as për fletarrestimin ndaj tij. Limaj madje ka treguar se kur ka dëgjuar për arrestimet i ka vizituar edhe disa nga familjarët e të arrestuarve. Kurse rreth orës 16:00, ka thënë se i ka ardhur një telefonatë  nga një zyrtar i lartë i EULEX-it.

“Diku rreth orës 16:00 kam pasur një telefonatë nga një zyrtar i lartë i EULEX-it për të pirë kafe. Kemi pirë kafe dhe ma ka transmetuar lajmin që ekziston një fletarrestim ndaj meje dhe unë i kam thënë OK, çdo gjë është në rregull dhe vazhdojmë më tutje. Normalisht ka kërkuar bashkëpunim, por është obligim qytetar që të bashkëpunosh me organet e drejtësisë”, ka thënë ai.

Më tutje Limaj ka treguar se ka shkuar në EULEX, së bashku me avokatin e tij dhe një zyrtar politik të EULEX-it, dhe u ka rënë të presin rreth dy orë derisa është liruar prokurori i çështjes, i cili e ka njoftuar për fletarrestimin. Ka thënë të mos jetë marrë në pyetje, madje çështja e imunitetit të tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se, është përmendur pikërisht nga prokurori i EULEX-it.

 Që nga paraqitja në EULEX ai ka thënë të mos jetë kontaktuar më nga ta. 
“Jam shumë i çuditur, jam edhe i befasuar, i shokuar, sepse ne jemi njerëz. Kjo çfarë po ndodh në këtë vend ... s’e di kush do t’i bjerë në fije, por kjo çfarë po ndodh në ketë vend unë jam duke u habitur”, ka qenë vlerësimi i tij për situatën.

Në Hagë ka qenë një skaner për mua, ka theksuar Limaj, jo vetëm për mua por edhe për luftën çlirimtare në rajonin ku është zhvilluar, që ka pasur lidhje me mua. “Për 33 muaj i gjithë mekanizmi i logjistikës botërore që ka qenë në Tribunalin e Hagës, ka hetuar që nga lindja e ime e deri në ditën kur është shpallur aktakuza për Hagë. Nuk ka pasur asnjë send që nuk është pyetur”.

Udhëheqësit kosovarë të sillen si burrështetas

Me gjithë insistimin e moderatorit Adriatik Kelmendi për të marrë një opinion nga Limaj se si e sheh ai mosreagimin e kryeministrit Hashim Thaçi rreth fletarrestimit për të, Limaj në mënyrë direkte nuk e ka thënë asnjë fjalë. 

Ai ka thënë vetëm se krerët e institucioneve të Kosovës duhet të fillojnë të sillen si burrështetas. Në mënyrë indirekte këtë e ka thënë edhe për Thaçin, i cili, sipas Limajt, “nuk duhet të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të vazhdojë më tutje, por duhet t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë, si udhëheqës i një shteti të pavarur”.

Sipas tij, fillimisht drejtorit të policisë Nexhmi Krasniqit është dashur t’i dërgohet ftesa për në gjyq, e nëse ai nuk përgjigjet atëherë të ndërmerren masat e tjera.
“Është dhunim i institucioneve, është lëndim i bashkëpunimit, është mosbesim ashiqare në mes të dy trupave. Pra, duhet të ndërtohet partneriteti, EULEX-i është i ftuar nga institucionet e Kosovës. Të vijë edhe të bëjë veprime të tilla me ftesën tonë. Tash shtrohet pyetja se kush është EULEX-i këtu, a jemi ne shtet i pavarur. Nuk është Kosova më në kohën e UNMIK-ut. Ne nuk jemi më protektorat”, ka thënë Limaj.

Rexhepi e Kuçi është dashur të merrnin përgjegjësi

Duke u ndalur në reagimet e institucioneve të Kosovës, por pa folur direkt për kryeministrin Thaçi, Limaj ka thënë se të dy ministrat që lidhen me segmente të policisë dhe gjyqësisë, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, dhe ai i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është dashur të merrnin përgjegjësinë si burrështetas të një shteti të pavarur.
“Nuk mjafton që ne vetëm të themi se jemi vend i pavarur, por institucionet e Kosovës duhet të fillojnë të sillen të pavarura”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, deklarata e ministrit Rexhepi se nuk ka pasur informacion dhe e ministrit Kuçi është e besueshme. “Ne të kemi nxjerrë ty si ministër atje, s’të ka pyetur kush. Qe po të besojmë se s’ke ditur. Por pse ti rri atje, pse s’shkon ti me i thanë: unë kukull këtu nuk jam, ju jeni në një shtet të pavarur, keni bërë një veprim që s’është dashtë me e ba pa u konsultua me neve ... ju keni treguar njëanshmëri totale dhe unë nuk rri ma këtu si ministër”, ka vlerësuar ai. “Por nuk shkon kështu, burrështetasi nuk bën kështu. Unë mendoj se është në interesin e shtetit të veprohet kështu se ne jemi shtet i pavarur”.

Limaj është shprehur i hidhëruar shumë me kolegët e tij nga partia, saqë ka akuzuar ata edhe për servilizëm. 
“Ne duhet të fillojmë të sillemi si shtet, e të mos jemi servilë, se nuk bëhet nami me e lëshu atë karrige të ministrit nëse është e nevojshme”, ka thënë ai. 

Më tutje Limaj ka vlerësuar se dikush është duke u munduar ta eliminojë politikisht, sepse ai nuk u është nënshtruar shantazheve të ndryshme. “E kanë parë që s’mund të më shantazhojnë dhe kanë menduar se të më largojnë nga politika, ta shtiem në burg nja dy a tri vite e hajt”, ka thënë ai, por ka shtuar se beson në drejtësi dhe pret që së shpejti të dalë e vërteta në sheh.

S’po hetohen krimet e serbëve 

Duke përmendur se hetimi i tij është vetëm për qëllime politike, deputeti Limaj ka thënë se ai është hetuar njëherë, dhe nuk është gjetur asgjë te ai. “Pse pikërisht mua me gjetën me ma hap një hetim të ri, kur dihet se unë e kam kaluar njëherë atë”.
“Në Kosovë kanë ndodhur qindra krime nga forcat serbe, të cilat dihet se kush i ka bërë e askush nuk po interesohet për atë çështje”, ka thënë ai.

“Pra, po hetohet një person dy herë e po tentohet gjithqysh që ai me u shti në burg, e në anën tjetër, sa krimet serbe kanë ndodhur e të mos hetohet askush unë e quaj absurde. Ata nuk e kanë në plan me i hetu ato”.

Në vazhdën e akuzave për EULEX-in deputeti ka akuzuar edhe institucionet e Kosovës edhe për deklarata patriotike kushedi se çfarë. “A e patë që edhe ai serbi, shefi i delegacionit për bisedime, çka tha. Kurse ne bisedimet i deklarojmë si fitore”. Sa u përket bisedimeve ai ka vlerësuar se me Serbinë asgjë nuk ka teknike.

Të gjitha vendimet për ministra e deputetë i ka marrë Thaçi

Duke folur për vendimmarrjen në PDK, nënkryetari Limaj ka thënë se kësaj radhe të gjitha emërimet i ka bërë kryetari Hashim Thaçi.
“99 për qind të listës zgjedhore i ka bo ai, vendimet i ka marrë ai, ministrat i ka zgjedhë vetë, zëvendësministrat ka me i zgjedhë vetë”, ka thënë Limaj, duke shtuar se në fund të mandatit nëse do të ketë sukses do të duartrokasë për Thaçin, por nëse dështon do të kërkojë nga ai që të japë llogari./kn
shko