Në këtë drejtim, as organi më i lartë i vendit nuk e ka të qartë se cilët do të jenë hapat e mëtejmë, por sidoqoftë, nëse Pacolli nuk do të jap dorëheqje, atëherë është Kuvendi ai që duhet të fillojë procedurën për shkarkimin e tij.
Pavarësisht rrjedhave që mund të jenë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryesia e Kuvendit ka vendosur në mbledhjen e sotme që në seancën e 31 marsit ta shqyrtojë në lexim të dytë projektligjin për buxhetin.
Ndërkohë që rasti i presidentit Pacolli nuk është zënë në gojë gjatë kësaj mbledhje të kryesisë, të udhëhequr nga nënkryetari Xhavit Haliti, për shkak se kryeparlamentari ndodhet për vizitë zyrtare në Hungari.
Haliti nuk ka qenë në gjendje të jap përgjigje nëse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka apo nuk ka Kosova president, përderisa ka thënë se ai nuk mund të detyrojë Pacollin të jap dorëheqje, por i ka kujtuar atij rastin e ish presidentit Fatmir Sejdiu.
“Nuk është e rregulluar saktësisht procedura, por ne e kemi pasur një praktikë jo shumë të largët se si ka funksionuar. Unë po them sinqerisht nuk i di rrjedhat e sotme dhe nuk kam ndonjë informacion për qëndrimin e presidentit Pacolli, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese është obligim për të gjithë…Unë e thash, unë s’mund ta detyrojë askënd që të paraqes dorëheqje, por në bazë të Kushtetutës nëse ai nuk paraqet dorëheqjen, atëherë Kuvendi duhet t’i ndërmarrë hapat e tij”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, flet më qartë për këtë çështje, duke e konsideruar si jovalid çdo vendim që ka marrë Pacolli nga zyra e presidentit të vendit.
“Në momentin që Gjykata Kushtetuese thotë se zgjedhja e presidentit ka qenë jokushtetuese, kjo nënkupton vetvetiu se Kosova nuk ka president, se presidenti duhet të zgjedhet dhe se të gjitha vendimet që janë marrë nga zoti Pacolli prej zyrës së presidentit të Kosovës, duhet të shpallen invalide. Do të thotë kemi të bëjmë me një proces jo të rregullt të zgjedhjes së presidentit të Kosovës”, ka thënë Gjini.
Gjini thekson se Kuvendi i ka tri opsione para vetes, së pari të sjellë një kandidat të ri ose ta rikandidojë të njëjtin për president dhe zgjedhja e tij të bëhet sa më shpejtë, së dyti të provohen modalitete tjera, qoftë edhe ndryshime të formulave qeverisëse, që ka afat gjashtë muaj, kohë të cilën postin e presidentit do ta ushtrojë kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe opsioni i tretë që pas gjashtë muajsh të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Megjithëse konsideron se më në rregull do të ishte që partitë të provojnë të gjejnë zgjidhje të përbashkët, i pyetur nëse AAK-ja është e gatshme të hyjë në koalicion që ta zhbllokojë situatën e krijuar, Gjini ka thënë se qëndrimet e AAK-së janë të palëkundshme.
“Nuk i ndryshojmë qëndrimet të cilat i kemi pasur menjëherë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, edhe përpara. Do të thotë të njëjtat qëndrime i kemi, nuk kemi kurrfarë vullneti që të lëvizim prej qëndrimeve të cilat i kemi pasur”, ka thënë Gjini.
Në këtë situatë, as PDK-ja, si partia më e madhe, nuk e ka të qartë se si do të veprojë më tutje.
Xhavit Haliti ka thënë se nuk ka informata nëse do të ketë ndryshim të partnerëve të koalicionit qeverisës.
“Ngjarjet janë zhvilluar shpejt, dje ka ndodhur pasdite, ne ende nuk kemi diskutuar as në kryesinë e partisë, ende nuk di se cili është qëndrimi i presidentit, a do të paraqes dorëheqje, apo do t’ia lërë Kuvendit të Kosovës këtë çështje. Ne funksion të këtyre zhvillimeve që do të ndodhin, PDK do të shoh se si do të veprojë politikisht. Ne e kemi një marrëveshje për një koalicion me AKR-në dhe pakicat dhe deri më tani ky koalicion është konform një marrëveshje i krijuar dhe nuk është prishur. Nëse dikush tërhiqet nga koalicioni dhe ka tendenca për ta ndryshuar partnerin e koalicionit, unë nuk kam këso informatash”, ka thënë Haliti.
Gjykata Kushtetuese dje ka nxjerrë vendim për rastin e zgjedhjes së presidentit Behgjet Pacolli të dorëzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me ç’rast ka konstatuar se ka pasur shkelje të nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës në rastin e zgjedhjes së Pacollit në postin e të parit të shtetit