Kështu të paktën ka vlerësuar të dielën Arian Henci, drejtues i njërit prej klubeve kryesore të futsallit në Kosovë, BMB Prishtina.
Në Kosovë është duke u zhvilluar vetëm kampionati i tretë në futsall. Ky sport nga disa njihet edhe si futboll i vogël apo futboll i sallës. Vlerësohet se futsalli në Kosovë është zhvilluar me hapa shumë të shpejtë. Aktualisht garat zhvillohen në dy nivele, Superligë dhe Ligë të Parë, ndërsa mbahen edhe kualifikimet për hyrje në Ligën e Parë.
"Futsalli në Kosovë luhet i organizuar në kampionat që nga viti 2008. Por, si sport ka qenë dhe është shumë i përhapur në Kosovë. Futsalli apo futbolli i vogël është luajtur në të gjitha vendet, rrugë, lagje, shkolla, si në qytete ashtu edhe në fshatra. Në Evropë, futsalli është në ekspansion e kështu edhe në vendin tonë. Futsallin në Kosovë e luajnë të gjithë dhe faktikisht është sport nacional", ka thënë Arian Henci.
Klubi që ai drejton, BMB Prishtina është kampion në fuqi i Kosovës. BMB Prishtina vlerësohet klubi kryesor që ndikoi në organizimin e futsallit në vend.
"Fustalli është sport dinamik që u 'fle' shumë mirë shqiptarëve. Nëse krahasohemi me sportet e tjera kryesore në Kosovë, si futbolli, basketbolli e hendbolli, atëherë jemi shumë para. Ekipet më të mira të futsallit mund të maten me shumë sukses me ekipet më të mira të rajonit, ndërsa këtë nuk mund ta bëjnë ekipet e sporteve të tjera. Jemi shumë para futbollit të madh dhe sporteve të tjera", ka shtuar Henci.
Sporti më i përcjelli
BMB Prishtina dhe skuadrat e tjera kosovare kanë zhvilluar ndeshje miqësore me ekipet evropiane dhe janë treguar të suksesshme. Ekipi prishtinas të shtunën mposhti kampionin në fuqi të Turqisë, Istanbul SK me rezultatin e thellë 8:3.
Ekipet kryesore të futsallit në Kosovë janë BMB Prishtina, Besa e Pejës, Feniksi i Prizrenit dhe Liburni i Gjakovës. Ndeshjet e Superligës, sidomos ato mes ekipeve kryesore përcillen nga një numër i madh i tifozëve. Disa prej takimeve kanë mbledhur në palestra edhe deri në tre mijë shikues, gjë që rrallë ndodh edhe në ndeshjet e futbollit të madh të mblidhen kaq shumë shikues me përjashtim të ndonjë derbi të madh.
Rivaliteti mes ekipeve kryesore është shumë i madh.
"Organizimi i një klubi në futsall është më i lehtë se në futbollin e madh. Ka më pak lojtarë e me këtë edhe më pak shpenzime. Klubet, por edhe ligat janë të organizuara shumë mirë. Për shembull ne ushtrojmë rregullisht nga katër herë në javë. Numri i vogël i lojtarëve dhe dinamika e lojës e bëjnë futsallin shumë interesant për shikuesit.
Cilësia e futsallit kosovar është shumë e mirë. Kjo është dëshmuar edhe në ndeshje ndërkombëtare. Është mëkat që nuk kemi drejtë të paraqitemi në gara ndërkombëtare, pasi në futsall Kosova do të përfaqësohej denjësisht", ka theksuar Arian Henci. Sipas tij, shpenzimet vjetore të klubeve më të organizuara të futsallit në vend janë rreth 30 mijë euro.
Futbollistët lënë karrierën në futboll për futsall
Futsalli në dy vitet e fundit është bërë atraktiv edhe për lojtarët e Superligës së Kosovës në futboll. Të paktën dhjetë lojtarë të Superligës e kanë ndërruar futbollin e madh me futbollin e sallës. I fundit prej tyre është mbrojtësi Desaret Dervishi që braktisi Vëllaznimin e Gjakovës për të luajtur për Liburnin.
"Liburni më ofroi kushte të mira financiare dhe për këtë arsye vendosa të kaloja nga futbolli në futsall. Vëllaznimi nuk ka kryer obligimet financiare që kishte ndaj meje", ka thënë Dervishi.
Në Superligën e Kosovës në futsall luajnë gjashtë reprezentues të vendeve të tjera. Së fundi për BMB Prishtinën kanë nënshkruar dy lojtarë shqiptarë që janë pjesë e Përfaqësueses së Maqedonisë.
Për Besën e Pejës luajnë tre reprezentues të Malit të Zi dhe një shqiptar që është pjesë e përfaqësueses së Anglisë. Sipas Hencit, ky fakt dëshmon që futsalli në Kosovë është shumë para sporteve të tjera. Në sportet e tjera kosovare nuk luan asnjë reprezentues i vendeve të tjera.
Federata e Futbollit e Kosovës është e kënaqur me projektin për zhvillimin e futsallit.
"Zhvillimin e futsallit e patëm nisur si projekt eksperimental. Fillimisht ishte i organizuar në katër nivele, ndërsa tani funksionon në tri nivele. Jemi të kënaqur me atë që është bërë deri më tani. Sidomos gëzon angazhimi i klubeve, ani pse liga është amatore.
Ka interesim për futsallin, ndërsa cilësia është në nivel me rajonin. Rivaliteti mes klubeve nuk duhet të jetë i madh, pasi është sport që luhet për qejf. Futsalli nuk përballet me problemin e infrastrukturës që për futbollin është problem shumë i madh", ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
E fjalë të mira për futsallin në Kosovë kishte edhe trajneri i kampionit turk, Istambul SK, Murat Kaya.
"Këta djem e meritojnë të luajnë në Evropë", tha Kaya, pasi ekipi i tij humbi nga BMB Prishtina, 8:3./kn